Kur një fëmijë përfshihet në një aktivitet që e pelqen dhe bën të ndihet mirë psikologjikisht, ai performon më mirë në shkollë dhe në fusha të tjera të jetës. Përfshirja në aktivitete sportive sjell një sërë benefitesh për fëmijën, jo vetëm fizike e shëndetësore , por edhe psikologjike e mendore. Sporti ndihmon fëmijën t’i japë formë karakterit të tij, të jetë social e të punojë në grupe dhe të ndërtojë një karakter të fortë, këmbëngulës dhe të orientuar drejt punës. Por si mund të zgjedhim një sport që i përshtatet fëmijës?

Çdo fëmijë ndryshon nga tjetri, në aspekte që vetëm prindi i njeh dhe i diferencon. Duke njohur fëmijën tuaj, personalitetin e tij/saj, fizikun e tij/saj dhe preferencat, një prind mund të bëjë një zgjedhje të mirë për fëmijën e tij. Fillimisht prindi duhet të marrë parasysh kohën që do të shpenzojë duke ndjekur axhendën sportive të fëmijës së tij. Nëse prindi është i vendosur dhe gjen kohën për të ndjekur fëmijën e tij, i mëson e i transmeton fëmijës disiplinën. E rëndësishme është që prindi t’a prezantojë fëmijën me disa disiplina sportive, në mënyrë që ti krijojë fëmijës mundësi zgjedhjeje.

Ndërkohë që eksploroni  vëzhgoni fëmijën tuaj dhe shini ku ndihet më entuziast, ku performon më mirë dhe çfarë lloji sporti preferon, individual apo në skuadër. Mundohuni të përqëndroheni tek fëmija juaj, jo tek dëshirat tuaja për t’a bërë fëmijën futbollist apo basketbollist. Merrni parasysh edhe sporte të tilla si volejbolli, karateja, noti, ateletikë, judo etj. Fëmija juaj mund të performojë më mirë në këto sporte dhe të kënaqet më shumë, sesa në futboll apo basketboll.  Mos harroni të përshtasni edhe karakteristikat fizike të trupit të fëmijës me sportin që zgjidhni të provoni.

Mos harroni që në këtë rast jeni në funksion të fëmijës suaj.  Është ai/ajo që vendos se çfarë drejtimi duhet të marrë. Aktivizimi i fëmijëve tuaj me sporte kërkon kohë, durim dhe shpesh investim monetar, por disiplina, bashkëpunimi dhe puna që i mësoni fëmijës suaj dita ditës nuk ka çmim.