Adoleshenca është periudha më delikate dhe shpesh më e vështirë për njeriun. Kalimi nga fëmijë në një të rritur krijon konfuzion sepse trupi përballet me ndryshime të menjëhershme, të pakontrollueshme. Në këtë situatë një fëmije i duhet të zbulojë trupin e tij, ndjesitë e reja dhe të përceptojë veten e tij si një i rritur. I gjendur mes këtyre ndryshimeve fëmijët shpesh bien pre e kurtheve të sjelljes së një “të rrituri”. Ata drejtohen në eksperienca të reja, rebelohen dhe humbasin kontrollin e ndenjave dhe arsyes. Në këtë moment prindërit duhet të jenë shumë të kujdesshëm me komunikimin, mënyrën si i trajtojnë fëmijët e tyre dhe vendimet apo zgjedhjet që bëjnë për ta.
Zgjedhja më e mirë e prindërve do të ishte orientimi i fëmijëve drejt një aktiviteti sportiv. Jo vetëm ndihmon me rritjen e shëndetshme dhe fizikun e fëmijëve por edhe psikologjikisht i bën ata më të ndergjegjshëm. Një adoleshent që merret me sport ndihmon fizikun e tij të rritet dhe të formohet shëndetshëm. Kjo është një fitore që zgjat jo vetëm gjatë kësaj periudhe, por gjithë jetën. Duke qënë të shëndetshëm dhe aktivë fizikisht adoleshentët mësohen me një stil jete të shëndetshme që zgjat edhe pas pjekurisë.
Një adoleshent që merret me sport, performon më mirë në shkollë. Shumë studime vërtetojnë këtë pohim. Të qenit aktiv stimulon qelizat e trurit, dhe qarkullimit e gjakut, duke bërë që të rritet fuqia e fokusimit dhe memories. Steriotipi se sportistët e mirë janë akademikisht të dobët është mit.
Adoleshentë që merren me sporte performojnë më mirë në fushën psiko-sociale, Kjo do të thotë se janë më të shëndetshëm mendërisht, më të qetë psikologjikisht dhe më socialë se pjesa tjetër e shoqërisë. Qasja me anë të sportit po nxit edhe psikologët që të rekomandojnë aktivitete sportive për personat që u mungon balanca mendore. Ekspertë të tjerë socialë shkojnë deri aty sa e rekomandojnë aktivitetin sportiv si të domosdoshëm për adoleshentët.
Prindërit që investojnë kohë dhe i shpenzojnë fundjavat duke ndjekur axhendën sportive të fëmijëve, në vend që të relakson me ndonjë film, po investojnë në individët e së ardhmes. Kjo kulturë është mirë të adaptohet në një mënyrë apo në një tjetër nga të gjithë. Adoleshentët nuk kanë nevojë të krijojnë iluzione të pavërteta mbi jetën e tyre dhe se cdo gjë vjen pa përpjekje. Ata kanë nevojë të mësojnë si të bashkveprojnë me të tjerët, si të punojnë fort për të arritur rezultate dhe se si të humbasin, sepse e ardhmja rezervon gjithnjë sfida.