Shumë fëmijë kohët e sotme e gjejnë veten të mbërthyer pas ekraneve elektronike, duke parë një video ose duke luajtur lojën e tyre të preferuar. Për sa kohë që nuk janë të mërzitur, kjo pamje i kënaq edhe prindërit, të cilët i inkurajojnë mbi të gjitha. Që në mosha të hershme fëmijët krijojnë varësi jo të shëndetshme nga ekranet, dhe shkëputen nga sensi i realitetit. Kjo dukuri sjell pasoja negative jo vetëm për shëndetin mendor por edhe për fizikun e fëmijës. Duke qënë sedentarë, fëmijët nuk i japin një mundësi trupit të tyre të rritet shëndetshëm. Si mund të shkëpusim fëmijët nga ekrani, për t’i orientuar ata drejt një sporti?
Fillimisht duhet kuptuar që ky proces kërkon kohë dhe përkushtim nga ana e prindërve. Duhet të jenë këta të parët që të binden mbi rëndësinë e pjesëmarrjes në aktivitete sportive, që të jenë në gjendje të orientojnë edhe fëmijët e tyre.
Prindërit duhet t’ja nisin nga zero, në mënyrë që të ndryshojnë rrënjësisht stilin e jetesës së fëmijëve të tyre. Rëndësi të vecantë duhet t’i kushtojnë ushqimit. Nëse do të bëhet një sportist i motivuar, një fëmijë duhet të ushqehet shëndetshëm. Vini theksin mbi ushqimet e përgatitura në shtëpi, gjellët me perime dhe frutat. Kujdes me mënyrën se si zgjidhni për ti mësuar fëmijët. Merrni kohë, nuk mund të prisni rezultate të menjëhershme. Fëmija krijon rezistencë shumë të madhe kur del nga zona e komfortit dhe provon gjëra të reja.
Një mënyrë e suksesshme është eksperimentimi me disiplina të ndryshme. Mos vendosni për fëmijët tuaj dhe mos i detyroni ata të ndjekin sportin që ju dëshironi. Në mënyrë që të jetë i motivuar, fëmija duhet të ndihet i lirë në stërvitje duke bërë dicka që do.
Kontrolloni qasjen tuaj ndaj ndryshimit të fëmijëve. Mos inkurajoni së tepërmi. Ajo që për ju duket një inkurajim i thjeshtë, për fëmijën kthehet në presion dhe mund të japë rezutate negative. Lini fëmijën të shprehet duke e pyetur mbi ndenjat dhe eksperiencën e tij, jo mbi numrin e “golave” që ka bërë. Mos harroni që ky proces nuk i shërben egos suaj, por shëndetit të fëmijës suaj.
Bashkëpunoni me trajnerët, mos i bëni “armiq”. Një trajner nuk ka si qëllim të turpërojë apo të dënojnë fëmijën tuaj. Përkundarzi fëmija duhet mësuar të luajë cdo rol ne skuadër. Mos pretendoni të ketë vetëm rolin kryesor, dhe mos e kërkoni këtë gjë, sepse dëmtom fëmijën tuaj më shumë se e ndihmon atë.
Tregohuni të vendosur dhe të hapur ndaj pengesave që mund të dalin gjatë këtij procesi. Mësoni të kaloni hap pas hapi cdo ditë, dhe fokusohuni tek shëndeti mendor dhe fizik i fëmijës tuaj, më shumë se sa tek rezultatet. Kini parasysh që po edukoni një individ për periudha afatgjata jo vetëm për një javë apo një muaj.