Ndoshta një ndër arsyet pse një trajner sportiv nuk planifikon çdo seancë stërvitore është koha, ndoshta edhe neglizhenca. Në të vërtetë planifikimi merr kohë, sidomos kur bëhet për periudha afatgjata.
Një thënie e Abraham Lincoln, ish president i USA është: “Nëse do të kisha 6 orë kohë për të prerë një pemë, 1 orë do t’a shpenzoja duke mprehur sëpatën.”
Planifikimi mund të jetë metoda më e mirë e punës, dhe më efektive – për të garantuar suksesin. Për trajnerët sportivë planifikimi është thelbësor. Duke planifikuar një trajner i përgjigjet pyetjeve: “Sa kohë kam? Çfarë ushtrimesh vlejnë? Kur duhet të realizohet…? Si të përmirësoj pikat e dobëta të ekipit ose sportistëve?, Kush do jetë partneri apo rivali?, etj.
Njihen lloje të ndryshme planifikimesh: si psh. Afat shkurtër, afat mesëm apo afat gjatë. Të treja këto kanë qëllime dhe objektiva të përcaktuara. Megjithatë, në një këndvështrim tjetër planifikimin mund ta konceptojmë edhe si i qëndrueshëm (që nuk ndryshon me kalimin e kohës) dhe planifikim përkohshëm (që ndryshon sipas situatës).
Tek planifikimi i qëndrueshëm hyjnë strategjitëe stërvitjes, objektivat përfundimtare, programet stërvitore, kalendari, rregulloret, logjistika, etj. Tek planifikimi i përkohshëm përfshihen aktivitete të caktuara që përdoren vetëm një herë dhe ndryshojnë periodikisht si psh: programi ditor apo takim me partnerët. Trajneri duhet të ketë kujdes në zbatimin e programit të qëndrueshëm pasi duhet të marrë në konsideratë edhe dinamikën e grupit dhe nevojave në ndryshim të skuadrës në mënyrë që të përmirësohet.
Planifikimi i suksesshëm orientohet rreth objektivave. Për cdo program javor/ mujor/ vjetor që një trajner harton, nuk duhen harruarr objektivat. Objektivat janë elementi që bën dallimin mes një plani të suksesshëm ose jo, pas i kjo i lejon trajnerit të masë suksesin. Duhet patur kujdes që objektivat të jenë të matshme dhe reale. Psh për një skuadër basketbolli për fëmijë një objektiv i saktë mund të jetë: “Në fund të javës fëmijët mund të driblojnë topin edhe gjatë vrapimit”. Një objektiv jo i saktë është: “Në fund të javës skuadra jonë do të jetë më e mira”. Kjo e dyta nuk mund të shërbejë si një objektiv sepse nuk është e matshme. Më e mira në krahasim me çfarë? Shpesh trajnerët bien në kurthe të tilla përgjithësuese.
Një mënyrë tjetër planifikimi është edhe planifikimi i emergjëncës që do të thotë të kesh një plan rezervë. Psh. sot ra shi edhe pse moti ishte parashikuar i kthjellët dhe skuadra nuk mund të stërvitet në ambjente të jashtme. Si mund të rregullojë trajneri situatën në momentin që ndodh? Një përgjigje e shpejtë do të ishte anullimi apo shtyrja e stervitjes, por nuk do të ishte gjithmonë efektive. A është menduar më parë për rreziqet eventuale që mund të ketë cdo aktivitet që realizohet përgjatë programit stërvitor apo gara? Identifikimi i rreziqeve është një nga elementët e tjerë që një trajner duhet të sillet si një menaxher. Duke pasur një plan emergjence ose disa të tilla, një trajner i mirë siguron vijimin e programit psh. realizon senacë përgatitjeje fizike për skuadrën në ambiente të mbyllura. Në këtë mënyrë sigurohet vazhdueshmëria e programit. Me të njëjtën logjikë trajneri planifikon edhe kutinë e ndihmës së shpejtë në raste emergjente, bazën materiale, etj.
Këto aftësi dhe këshilla, bashkë me eksperiencën e një trajneri, njohuritë e thella në disiplinën sportive dhe eksperiencën me grupin që trajnon, prodhon një stërvitje efektive dhe skuadër me rezultate në rritje.