Një mënyrë e shëndetshme e të ushqyerit i shërben jo vetëm sportistëve, por të gjithë personave që pretendojnë të jetojnë një jetë të gjatë. Një shprehje popullore thotë: “Çfarë mbjell, korr”. Në këtë kontekst gjen zbatim sepse trupi i njeriut përgjigjet me të njëjtën mënyrë si e trajtojmë. Nëse mendoni se kafet e shpeshta, ëmbëlsirat apo ushqimet e shpejta janë pozitive, mendoni sërisht. Këto pothuaj nuk ekzistojnë në dietën e një sportisti të shëndetshëm.

Përveç cilësisë dhe sasisë së ushqimit, kujdes i veçantë duhet patur edhe me kohën e konsumimit të tij. Nuk mund të bëhet një punë e suksesshme apo të filloni një aktivitet fizik me stomakun bosh, apo me organizëm të dehidratuar. Raporti i ushqimit me sasinë e ujit apo lëngjeve që konsumoni duhet të jetë i drejtë, në mënyrë që t’i lejojë organizmit të zberthejë vlerat ushqimore.  Shpesh sportistët e harrojnë këtë raport dhe përfundojnë duke patur vështirësi në tretje.

Mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës. Dreka është më e bollshme në sasi, por organizmi duhet “zgjuar” në mëngjes. Një sportist nuk mund të jetë eficent, nëse organizmi i tij merr më shumë kohë për t’u zgjuar.  Nëse nuk keni kohë, ose nuk hani shumë në mëngjes, bën mirë të mësoni organizmin me gjera të lehta dhe të shpejta. Për shembull nisni ditën me një gotë lëng portokalli të shtrydhur, pa sheqerna të shtuara. Pas një farë kohe shtoni një tost, apo një vezë të zier në mënyrë që ngrënia e një mëngjesi të kthehet në rutinë.

Ushqehuni sipas vlerave ushqimore. Një mëngjes i mirë do të përmbante proteina (veza) dhe fruta, ndërsa një drekë e mirë do të ishte e pasur me hekur. Sidomos  për femrat, të cilat vuajnë më shpesh nga mungesa e hekurit, ushqime si mishi i kuq, drithërat apo spinaqi do të kishin më shumë dobi.

Një sportist i mirë ha para dhe pas stërvitjes. Mos bini në kurthe të tilla si numërimi i kalorive, apo karbohidrateve që konsumoni. Nuk ka një formulë specifike që ju ndihmon me peshën trupore, pavarësisht se produkte të ndryshme komeciale thonë të kundërtën. Karbohidratet janë karburanti i trupit dhe furnizojnë me energji. Balanconi intensitetin e ditës me numrin e karbohidrateve që  konsumoni, dhe drejtohuni tek ushqimet e shëndetshme.

Hani produkte të freskëta dhe planifikoni mirë kohën e ushqimit. Nuk është praktikë e mirë të hani duke ecur, rrugës për në punë, apo ndërkohë që punoni. Koha e ngënies duhet të jetë e vecantë dhe shkëputur nga aktivitetet e tjera. Në të njëjtën mënyrë planifikoni edhe cilësinë e ushqimeve që konsumoni. Orientohuni tek produktet e freskëta, të papërpunuara. Ushqimet e paketuara kryesisht janë ato më të përpunuarat. Përpunumi industrial i zhvesh ushqimet nga vlerat ushqyese dhe nutrientët.

Mos pretendoni të keni një fizik sportisti sa hap e mbyll sytë, vetëm duke ndryshuar disa aspekte të mënyrës së ushqimit. Jetesa e shëndetshme është stil jetese, pra prek të gjitha sferat e aktiviteteve tuaja. Bashkë me kontrollin e ushqimit përpiquni të përfshini disa aktivitete fizike në ditën tuaj, për të patur një cilësi më të mirë jetëse.

BurimiAllen, J. 10 Tips to Eat Like a Pro AthleteACTIVE.com.